Foltorja e PD, Këlliçi: Rezistenca jonë, çështje dinjiteti dhe detyrim ndaj të ardhmes së fëmijëve

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja, nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Belind Këlliçi denoncoi dhunën që sipas tij, policët ushtruan ndaj protestuesve në protestën e së shtunës.
Këlliçi tha se policia fiku dritat në vendet që zhvillohej tubimi, me qëllim që të mos dokumentohej dhuna ndaj qytetarëve. Sipas Këlliçit, dhuna është shenja e fundit e një narkoshteti në rënie.
“Dy net më parë në këtë bulevard, në sytë e çdo shqiptari e të medieve ndërkombëtare, narkoshteti i Edi Ramës dëshmoi se është më i dobët se kurrë. Dhe e dëshmoi në fakt duke rrezikuar jetën e qytetarëve me dhunë, me një dhunë që buron nga humbja e kontrollit, nga frika dhe nga paranoja e fundit të pashmangshëm. Historia e ka treguar më shumë se një herë se kur pushteti fillon të godasë qytetarët e vet pa as edhe një arsye, i ka hyrë frika në palcë e sidomos frika për të dëgjuar qytetarët e saj”, u shpreh Këlliçi.
Këlliçi tha se rezistenca e tyre nuk është çështje partie, por është çështje dinjiteti dhe detyrimi ndaj të ardhmes së fëmijëve.
“Nuk na tremb dhuna e tyre, sepse është refleksi i fundit prej frikës nga zemrata e qytetarëve shqiptarë. Çfarë na duhet sot, të dashur miq? Këmbëngulje, këmbëngulje, qëndresë dhe besim se ky shtet përfundimisht ka hyrë në ditët e numërimit mbrapsht. Kjo nuk është çështje e një partie politike, as e fatit të saj, por është çështje dinjiteti dhe detyrimi ndaj të ardhmes së fëmijëve që meritojnë të jetojnë e të punojnë në begatinë e një vendi të bekuar nga natyra e të shpëtuar nga shqiptarët e mirë dhe të ndershëm”, tha ai.
Foltorja zgjati për rreth një orë, ndërsa nuk ishte i pranishëm kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhet në selinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasburg.
E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.
/m.q/a.f/r.e/