“Fondet e planit të rritjes, mund të shtohen”, ekspertja: BE shqyrton ecurinë e reformave, mund t’i kalojë Shqipërisë më tepër financime

Mbarimi i qershorit do të duhet të thotë fjalën e fundit për një grup reformash të planit të rritjes për të gjitha vendet e rajonit. Eksperte e integrimit europian, drejtuesja e një sërë mbikqyrjesh të këtyre proceseve Krisela Haçkaj i tha Televizionit Publik se bëhet fjalë për vlerësimin pas kohës shtesë.
“Jo vetëm Shqipëria, por dhe vende të tjera të rajone gjenden me një numër masash për të cilat këto vende kanë marrë kohë shtesë nga komisioni për t’i zbatuar dhe skadenca e parë është pikërisht qershori i vitit 2026. Nëse ka kaluar kjo periudhë këto masa, nëse nuk realizohen dhe buxheti përkatës pra i alokuar për këto masa mund të konsiderohet i humbur. Kjo do të thotë që Shqipëria do vazhdojë sigurisht punën për masat e tjera, por për këto masa që gjenden me skadencë zbatimi qershor 2026 nuk do të ketë më kohë shtesë”, tha Haçkaj.
Nisur nga mekanizmi i financimit të këtyre reformave në përfundimin e të cilave me sukses brenda 2027, Shqipëria ka mundësi të përfitojë rreth 920 milionë euro, ndërkohë që niveli aktual i lëvrimit edhe pse e para në rajon është 212 milionë.
“Ka një presion aktualisht në të gjitha vendet e rajonit, përfshirë dhe vendit tonë, për t’i realizuar këto masa në kohë, të cilat përkthehen në fonde shtesë që kalojnë në buxhetin e shtetit, por jo vetëm fonde shtesë gjithashtu që kalohen edhe në realizimin e projekteve infrastrukturore”, tha ajo.
Afatet lidhen edhe me kordinimin e këtyre masave të financuara me procesin paralel të piketave të anëtarësimit.
“Hapet mundësia për një rishikim të planit të të reformave, të agjendës së reformave që mund të përkthehet në rishpërndarje të buxheteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor midis vendeve që ndoshta nuk kanë performuar mirë dhe fondet e ato nuk mund t’i përthithen mund të kalojnë drejt vendeve të cilët kanë pasur një performancë më të mirë si për shembull është rasti i Shqipërisë dhe i Malit të Zi”, tha ajo.
Pritmëria sipas znj. Haçkaj është e lidhur me përmbylljen e disa legjislacioneve brenda kësaj periudhe.
“Ne kemi një plan prej 31 reformash me 143 hapa që quajmë reformash. Gati nëntë prej tyre kontribuojnë direkt në piketat përfundimtare të kapitujve”, deklaroi ajo.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/