Forcat e Armatosura testojnë gatishmërinë luftarake sipas standardeve të NATO-s

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Grupbatalioni i Këmbësorisë së Lehtë i Forcave të Armatosura të Shqipërisë vuri në provë aftësitë e tij luftarake gjatë Vlerësimit të Gatishmërisë Luftarake të NATO-s (CREVAL).
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bëri të ditur sot se, gjatë këtij procesi, grupi i batalionit, i cili është stërvitur krah për krah me Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit në kuadër të një partneriteti më shumë se 25-vjeçar, dëshmoi se aftësitë e tij taktike dhe ndërveprueshmëria përmbushin standardet e larta të NATO-s.
Vlerësuesit shqyrtuan një sërë elementesh të gatishmërisë, përfshirë manovrimin, disiplinën e zjarrit, komandimin dhe kontrollin, si dhe mbështetjen logjistike në kushte reale operacionale.
Në aktivitet morën pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Ambasada amerikane theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Forcave të Armatosura shqiptare dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, në kuadër të partneritetit të tyre afatgjatë.
1 nga 5/gj.m/j.p/r.e/