Forcohen sanksionet kundër dhunës digjitale – Gjobë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë nëse nuk hiqen materialet e dëmshme

Projektligji i ri për mbrojtjen e viktimave nga dhuna digjitale parashikon ndëshkime financiare për ofruesit e platformave online të cilët nuk heqin përmbajtjen e imazheve intime të viktimës apo llogaritë për përndjekje ose lidhjet elektronike të përdorura për ngacmim.
“Projektligji i ri për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe ndaj familjes ka disa risi dhe ajo kryesore është gjoba që shkojnë deri në 500 mijë lek nëse nuk fshihen brenda 24 orësh përmbajtjet dhunuese”, u shpreh avokatja, Elona Berki.
Institucioni përgjegjës për vendosjen e masave administrative të dënimit me gjobë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë, është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
“Duhet pasur parasysh se kjo nuk bëhet automatikisht por nëpërmjet një kërkese të personit të dhunuar të personit. Këto gjoba do të përbejnë titull ekzekutiv për të kërkuar si dëmshpërblim në gjykatë”, tha ajo.
Gjobat e vendosura nga AKEP-i përbëjnë titull ekzekutiv dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Në rast se gjoba e vendosur paguhet nga subjekti përgjegjës, brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit përkatës të AKEP-it, masa e gjobës ulet automatikisht me 15% të shumës së vendosur. Kundër gjobës së vendosur nga mund të bëhet ankim brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.
/rtsh.al/