E Premte, 6 Nëntor 2026

Formimi i qeverisë së re në Izrael, 67 deputetë mbështesin Eisenkot për kryeministër. Herzog ende pa vendim: Do të zhvilloj bisedime të tjera

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka deklaruar se do të zhvillojë bisedime të mëtejshme me drejtuesit e partive politike për të përcaktuar se kush ka mundësinë të formojë qeverinë e re, pavarësisht se kreu i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, ka marrë shumicën e rekomandimeve për postin e kryeministrit.

presidenti i izraelit

Në përfundim të konsultimeve me të gjitha fraksionet e Knessetit, Herzog bëri të ditur se përfaqësuesit e forcave politike që përfaqësojnë gjithsej 67 deputetë kanë rekomanduar Eisenkotin për formimin e qeverisë, ndërsa fraksionet që përfaqësojnë 46 deputetë kanë mbështetur kryeministrin aktual, Benjamin Netanyahu.

“Rezultatet e konsultimeve duken të qarta. Por autoriteti që më jep ligji është të përcaktoj se kush ka mundësinë të formojë një qeveri dhe kjo nuk është plotësisht e qartë, duke pasur parasysh vetot reciproke mes blloqeve politike dhe brenda vetë blloqeve”, deklaroi Herzog.

Presidenti izraelit theksoi se do të përpiqet ta qartësojë situatën “drejtpërdrejt dhe shpejt”, përmes bisedave personale me disa prej drejtuesve të partive politike. Ai bëri të ditur se synon që mandatin për formimin e qeverisë ta japë të dielën.

“Gjatë këtyre bisedave, synoj të mos lë asnjë mundësi pa shqyrtuar, në përpjekje për të nxitur partitë që të afrohen me njëra-tjetrën dhe të ndërtojnë një qeveri të qëndrueshme dhe të mirë për popullin e Izraelit”, u shpreh Herzog.

Partia Yashar, nga ana e saj, i ka bërë thirrje presidentit Herzog, që mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme t’ia besojë kryetarit të saj, Gadi Eisenkot, duke theksuar se 67 rekomandimet e marra prej tij përbëjnë një mbështetje të qartë për ndryshimin e drejtimit politik të vendit.

“Benjamin Netanyahu është një kryeministër në detyrë që drejton një pakicë prej vetëm 46 mandatesh. Ai nuk ka mandat, nuk ka shumicë dhe nuk ka besimin e publikut”, thuhet në deklaratën e partisë Yashar.

Yashar u ka bërë gjithashtu thirrje të gjithë drejtuesve politikë që të lënë mënjanë interesat e ngushta politike dhe personale, me qëllim formimin sa më të shpejtë të qeverisë.

Sipas partisë, humbja e kësaj mundësie mund të ketë një kosto të rëndë për vendin dhe ta çojë Izraelin drejt zgjedhjeve të tjera, pavarësisht vullnetit të qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›