Fotografi italian rikthehet pas 30 vjetësh me ekspozitën “Shqipëria 1994”

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ekspozita “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” solli në Durrës për herë të parë fotografitë historike të fotografit Gianni Bellesia, të realizuara menjëherë pas rënies së diktaturës.
Plot 30 vjet më parë, fotografi italian Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri si pjesë e një misioni humanitar, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma për familjet e varfra. Tri dekada më pas, ai është kthyer si dëshmitar i transformimit.
Ekspozita sjell 30 imazhe autentike, që rrëfejnë historinë e njerëzve të thjeshtë dhe një kohe të vështirë, por plot shpresë, nga Durrësi në Tiranë, Shkodër e deri në fshatin e Nënshatit.
Në vitin 1994, Gianni Bellesia ishte vetëm një djalosh, i nisur me të atin Sebastiano, për të sjellë ndihma në një Shqipëri ende të tronditur nga rënia e regjimit dhe në kërkim të së ardhmes. Sot, ai është kthyer me një ekspozitë që rrëfen po ato ditë por përmes forcës së heshtur të fotografisë.
Autori dhe kuratori i kësaj ekspozite z. Petrit Kozeli, personazh i njohur dhe i vlerësuar i diasporës shqiptare në Itali, ish fotograf shtetëror, është po ashtu edhe një prej bashkëideatorëve të idesë së binjakëzimit që Porti i Mantovës (Itali) ka me Portin e Durrësit si dhe nismëtar i projektit të binjakëzimit që pritet të realizohet ndërmjet Spitalit të Durrësit dhe Spitalit e Mantovës (Itali), një projekt i mbështetur edhe nga Bellesia.
Ky projekt ambicioz ka për qëllim të krijojë ura të reja bashkëpunimi në fushën e mjekësisë, përmes shkëmbimeve të ndërsjella profesionale, organizimit të kongreseve dhe ndërlidhjes me Universitetin e Mjekësisë. Në këtë kuadër, parashikohet edhe përfshirja e studentëve në praktikat mësimore, me mundësinë për të ndjekur ndërhyrje kirurgjikale në kohë reale, përmes transmetimeve direkte nga sallat e operacionit. Gjithashtu, projekti përfshin edhe dhurimin e pajisjeve dhe makinerive mjekësore moderne për Spitalin e Durrësit, duke e bërë këtë nismë një shembull të prekshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimit shëndetësor
Më shumë se 200 persona, përfshirë autoritete lokale, gazetarë, artistë, studentë dhe qytetarë të thjeshtë, morën pjesë në një ngjarje që ishte më shumë se thjesht art.
Puna e Bellesia-s u vlerësua me disa nderime të rëndësishme, që dëshmojnë ndikimin e thellë njerëzor dhe kulturor të projektit të tij: “Mirënjohje e Qytetit”, dhënë nga kryetari i Shoqatës Autoktone, Abdulla Deliallisi, dhe sekretarja Edlira Harizi; Çmimi i Meritës, Në Kujtesën e Qytetit, dhënë nga Foto Klubi “Bashkimi i Fotografëve të Durrësit”, përfaqësuar nga kryetari Palush Jorgji; Çmimi “Bukuria e Durrësit”, dhënë nga nënkryetari i Bashkisë, Gentian Kallmi, një çmim që jepet rrallë dhe vetëm atyre që promovojnë miqësinë mes popujve.
Prestigjin e ngjarjes e shtoi prania e Zoica Kokosharit, presidente e UNICEF-it në Luksemburg, me origjinë nga Durrësi. Me elegancë dhe ndjeshmëri, ajo priti Gianni Bellesia-n dhe ambasadorin Kozeli, duke e cilësuar projektin si simbol të fuqishëm të një solidariteti që nuk plaket kurrë.
1 nga 10/j.p/r.e/