E Diel, 1 Nëntor 2026

Fotolajm/ Momenti kur arratiset Altin Ndoci dhe polici i burgjeve duke e ndjekur me vrap

Kjo foto tregon momentin kur Altin Ndoci (majtas) arratiset nga Spitali Infektiv i Durrësit, dhe në foton tjetër (djathtas) është polici i burgjeve me pistoletë në dorë që ndjek dhe tenton të kapë Ndocin pas arratisjes së këtij të fundit.

Këto foto janë shkëputuar nga pamjet e kamerave të sigurisë aty pranë.

Sipas informacioneve jo zyrtare, raportohet se Ndocin e ka pritur një automjet jashtë ambienteve të spitalit me të cilin është larguar në drejtim të paditur.

(Në foto: Altin Ndoci duke u arratisur)

Ndërsa në foton tjetër, shikohet oficeri i policisë së Burgjeve që shoqëronte Altin Ndocin. Pasi ky i fundit arriti t’i shpëtojë, oficeri i policisë së Burgjeve ka rendur me armë në dorë jashtë mjediseve të spitalit Infektiv të Durrësit, duke kërkuar Ndocin dhe raportohet sa ka qëlluar një herë në ajër.

(Foto: Polici i burgjeve duke ndjekur Altin Ndocin)

Nga ana e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë të ditur se i paraburgosuri Altin Ndoci ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore në repartin e infektivit, reparti i sigurisë për të dënuarit, por gjatë kësaj kohe ai është arrasitur duke i shpëtuar oficerit të policisë.

Gjithashtu, në deklaratë theksohet më tej se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.

Ndërkaq, strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kush është Altin Ndoci?

Altin Ndoci njihet si pjesë e organizatës së Çopjave, si dhe dyshohet i përfshirë në masakrën e Bradasheshit në Elbasan ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibeajt, xhaxhai i Aliebajt dhe një shtetas turk.

Sipas dosjes së SPAK-ut, Altin Ndoci akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Andit Zylyfit.

Ndoci akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një  herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›