E Hënë, 2 Nëntor 2026

Franca dhe SHBA propozojnë një armëpushim 21-ditor në Liban

Franca së bashku me SHBA-në kanë propozuar një armëpushim të përkohshëm, që zgjat 21 ditë, për të zhvilluar negociata mes Izraelit dhe Hezbollahut, tha të mërkurën kreu i diplomacisë franceze gjatë mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për krizën.

“Në ditët e fundit, ne kemi punuar me partnerët tanë amerikanë për të krijuar një platformë që parashikon një armëpushim të përkohshëm prej 21 ditësh për të lejuar zhvillimin e negociatave,” shpjegoi Jean-Noel Barot.

“Kjo platformë do të bëhet publike shumë shpejt” dhe “ne llogarisim në pranimin e saj nga të dyja palët”, vazhdoi ai, duke këmbëngulur se përgjithësimi i luftës Izrael-Hezbollah nuk është “i pashmangshëm” dhe i bëri thirrje “të gjitha” palëve të angazhohen me vendosmëri” për zgjidhjen paqësore të konfliktit.

SHBA po përpiqet të parandalojë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme

“Ne po punojmë me vendet e tjera për një propozim që shpresojmë se do të çojë në rivendosjen e qetësisë dhe do të lejojë të zhvillohen bisedime për një zgjidhje diplomatike” në Liban, tha zëvendës ambasadori i SHBA në Kombet e Bashkuara Robert Wood gjatë takimit urgjent të Këshillit të Sigurimit.

“Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që të japë mbështetjen e tij për këtë përpjekje diplomatike në ditët në vijim,” shtoi ai.

Ambasadori në detyrë Wood shprehu “shqetësimin e thellë” të Uashingtonit për “raportet se qindra civilë janë vrarë ditët e fundit në Liban”, ndërsa përsëriti qëndrimin amerikan se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet kundër sulmeve të Hezbollahut.

Ai konsideroi se Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e vetmja rrugë për një fund të përhershëm të këtij cikli të përshkallëzimit dhe kthimit të njerëzve të zhvendosur në të dy anët e kufirit izraelito-libanez./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›