Franca shfuqizon zyrtarisht “Kodin e Zi”, Asambleja Kombëtare fshin ligjin e vitit 1685 që i trajtonte skllevërit si mall

Asambleja Kombëtare e Francës ka marrë një vendim historik duke shfuqizuar unanimisht të ashtuquajturin “Kodi i Zi”. Ky ligj kolonial i vitit 1685 i klasifikonte skllevërit si pronë dhe kishte mbetur formalisht në fuqi prej 341 vitesh.
Dekreti i firmosur nga mbreti Luigji i 14-të përmbante 60 nene që mohonin çdo të drejtë njerëzore dhe parashikonin ndëshkime barbare për ata që tentonin të arratiseshin. Ndonëse Parisi zyrtar e ndaloi skllavërinë që në vitin 1848, ky dokument famëkeq nuk ishte anuluar kurrë ligjërisht deri më sot.
Presidenti Emmanuel Macron reagoi menjëherë duke thënë se heshtja e gjatë ndaj këtij ligji ishte kthyer tashmë në një formë fyerjeje. Nga ana tjetër, deputeti Max Mathiasin, i cili propozoi këtë nismë, deklaroi me emocione se ky vendim përfaqëson rikthimin e dinjitetit dhe njerëzores për të gjithë pasardhësit e skllevërve.
Megjithatë, për aktivistët dhe studiuesit vendas, ky hap mbetet thjesht simbolik pasi problemet e racizmit dhe pabarazisë janë ende të pranishme në territoret franceze përtej detit. Historia tregon se Franca ka qenë një nga fuqitë më të mëdha koloniale, duke transportuar rreth 1.4 milionë afrikanë drejt plantacioneve të Karaibeve. Tashmë që ky kapitull i errët u mbyll edhe në letra, debati i madh në opinionin publik mbetet ai për dëmshpërblimet financiare.
/rtsh.al/