Francë/ Gjykata refuzon lirimin e shqiptarit të kërkuar nga Interpoli për tentativë vrasjeje

Gjykata në La Rochelle të Francës ka rrëzuar kërkesën për lirim nga burgu të një shqiptari rreth të 30-ave, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe i shpallur në kërkim nga Interpoli për tentativë vrasjeje në Shqipëri.
Ai do të qëndrojë në paraburgim deri më 2 dhjetor, kur pritet të shqyrtohet çështja e tij.
Shqiptari u vendos në paraburgim në burgun e Rochefort më 16 tetor, ndërsa tri ditë më vonë u paraqit para gjykatës në La Rochelle, ku kërkoi lirimin. Gjykata u shpreh vetëm për masën e sigurisë, pa shqyrtuar fajësinë e tij.
Sipas mediave franceze, ai qëndronte në Francë në mënyrë të parregullt dhe përdorte dokumente false, duke u paraqitur me identitet italian. Këtë fakt, sipas raportimeve, e ka pranuar edhe gjatë marrjes në pyetje nga policia.
Ndaj tij ekziston gjithashtu një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar nga Interpoli më 13 dhjetor 2016, i shoqëruar me kërkesë për ekstradim, për një çështje të tentativës së vrasjes në Shqipëri. Shqiptari e kundërshton këtë akuzë, duke pretenduar se bëhet fjalë për një gabim.