E Enjte, 5 Nëntor 2026

Fredi Beleri e zhvendos betejën në Gjykatën e Lartë

Beteja ligjore e të zgjedhurit të Himarës, Fredi Beleri për t’u liruar nga qelia e paraburgimit, u zhvendos në Gjykatën e Lartë.

Kësaj herë ai ka dorëzuar dy rekurse që mbajnë datën 6 shtator, njërën për shpalljen e paligjshme të arrestit në flagrancë dhe tjetra për tabulatët e përgjimit të Prokurorisë së Vlorës.

Të dyja këto kërkesa janë bërë edhe me herët në të dyja shkallët e gjyqësorit, si në Gjykatën e Posaçme, ashtu edhe në atë të Apelit, por janë rrëzuar.

Rekurset do të shqyrtohen të ndara, ndonëse prekin të njëjtin person të marrë të pandehur e afati ligjor për t’i gjykuar ato, është 60 ditë.

Kërkesat e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, u bënë vetëm një ditë pas rezolutës së miratuar nga asambleja politike e Partisë Popullore Europiane, e cila kërkoi që Shqipëria të lejojë Belerin të bëjë betimin.

Por në reagimin e tij, kryeministri Rama sqaroi se qëndrimi i Belerit në burg, është vendim i drejtësisë shqiptare.

Fredi Beleri u arrestua 48 orë përpara procesit zgjedhor të 14- majit, nën akuzën e blerjes së votave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›