E Diel, 1 Nëntor 2026

Frikë nga lufta apo babëzi?! Tender 715 mijë euro për të rregulluar bodrumin e Kryeministrisë

Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka humbur totalisht funksionin e tij të themelimit, pasi në vend që të investojë në zonat rurale, po përqendrohet më shumë për luksin e zyrave të shtetit, duke hedhur miliona euro.

Kreu i këtij fondi, Dritan Agolli, ka hapur një tjetër procedurë tenderuese për rikonstruksionin e Kryeministrisë, kësaj herë në katin nëntokë.

Ende pa u tharë boja e “Parkut Eden”, një strukturë druri e vendosur në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë, e cila kushtoi plot 4.3 milionë euro, Agolli ka akorduar një shumë rreth 715 mijë euro për të rehabilituar bodrumin e Këshillit të Ministrave.

Objekti i tenderit është “rikonstruksioni i hapësirës teknike në bodrumin e Kryeministrisë”. Fondi limit i kësaj procedure është 71.205.446 lekë, ndërkohë që bën fjalë për punë ndërtimi, të cilat do të fillojnë shumë shpejt.

FSHZH deri më tani nuk ka dhënë shumë informacione se çfarë punimesh do të kryhen në atë godinë, ndërsa justifikohet se do të sistemojë depon e ujit, do të rregullojë dhe disa ambiente të tjera. Por, në kronikat e kohës së mëparshme, mediat kanë transmetuar se bodrumi i Kryeministrisë, apo i institucioneve të tjera të rëndësisë së veçantë, kanë ambiente strehimi në rast lufte. Madje, ato lidhen me tunele nëntokësore me njëra – tjetrën, tunele të cilat janë të gjata disa kilometra dhe kanë dalje në zona shumë larg godinës.

Nuk dihet nëse punimet do të prekin këto vendstrehime, por situata në Lindjen e Mesme dhe paralajmërimet e amerikanëve, mund të kenë sjellë mobilizimin e krerëve të shtetit të “ruajnë kokat e tyre”.

Duket se, pas hapësirave të gjelbra, me shatërvane dhe ambiente çlodhëse në “Parkun Eden”, ka ardhur koha e sigurisë. Dhe kush më mirë se Dritan Agolli mund të ndërhynte në këtë situatë, pasi ai ka informacione të mjaftueshme për çdo skutë në atë godinë, duke qenë se montoi strukturën me dru dhe rikonstruktoi sisteme të tjera.

A mos vallë tenderi i radhës është bërë nga “frika” e luftës në Lindjen e Mesme? Koha e shpalljes së tenderit përkon edhe me situatën “alert” të disa vendeve, mes tyre edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasada e së cilës në Tiranë ka shpërdarë një njoftim se “Irani mund të sulmojë Shqipërinë”. /VOXNEWShttps://www.voxnews.al/investigim/dritan-agolli-ben-tender-715-mije-euro-per-te-rregulluar-bodrumin-e-k-i113686

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›