E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fronëzohet Mitropoliti i ri i Gjirokastrës, ceremonia u drejtua nga Kryepiskopi Joani

Në Gjirokastër u zhvillua ceremonia e fronëzimit të Mitropolitit të ri, Hirësi Nathanailit, i zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ceremonia u mbajt në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani.

Me pjesëmarrjen e klerikëve, besimtarëve dhe autoriteteve, ky ishte një moment i rëndësishëm për jetën shpirtërore dhe institucionale të Kishës Orthodhokse në Gjirokastër.

“Hirësi, vëlla me Krishtin dhe bashkëmeshtar, rruga jote e shërbimit filloi në vitin 1991, kur erdhe në këtë trevë të shenjtë të Gjirokastrës, në kohën më të vështirë të ringritjes së Kishës sonë nga gërmadhat e ateizmit.”

Si hieromonak, plot zell dhe dashuri për Krishtin, ti u bëre një punëtor i palodhur i Ungjillit.” tha Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani.

Ndërsa Mitropoliti i ri i Gjirokastrës, Hirësi Nathanaili u shpreh se “Vij si bari dhe dhjakon, dhe jo si udhëheqës dhe sundues.

“Nuk vij me fjalë të mëdha, por me dëshirën e thellë për të dëgjuar, për të ndihmuar, për të ndërtuar së bashku një Kishë që frymëzon me dashurinë e Krishtit dhe me urtësinë e Etërve tanë”, theksoi ai, duke risjellë ndërmend shërbimin e tij 20-vjeçar si prift në atë zonë, nga viti 1991 deri në vitin 2012.”

Besimtarët pjesëmarrës në ceremoni kanë uruar Hirësi Nathanailin për mbarësi në këtë detyrë.

“I urojmë Mitropolitit Nathanail të ketë sukses në detyrën e re që ka marrë përsipër.”

 “I urojmë shëndet dhe punë të mbarë Mitropolitit Nathanail.”

Mitropoliti Nathanail ka lindur në vitin 1957 në Trikalla të Greqisë dhe ka një rrugëtim të gjatë në shërbesën kishtare.

Ai ka shërbyer për më shumë se dy dekada në Mitropolinë e Gjirokastrës si prift i enorisë, udhëheqës shpirtëror dhe mësues në Liceun Kishtar “Kryqi i Nderuar”.

Në vitin 2012 mori gradën episkopale dhe u caktua në krye të Kishës Katedrale të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Deri më sot ka shërbyer si Mitropolit i Amantias dhe Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë.

Me vota të plota nga Sinodi i Shenjtë, më 16 shtator 2025 u zgjodh Mitropolit i Gjirokastrës, duke u rikthyer në qytetin ku ka lënë gjurmë të thella në jetën kishtare dhe shpirtërore.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›