Fun Fair, festë e madhe kushtuar më të vegjëlve

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Fun Fair Albania solli plot buzëqeshje gjatë katër ditëve, duke nisur nga 29 maji e për të përfunduar sot, me aktivitete të shumëllojshme nga mëngjesi, deri në mbrëmje.
Sot, për festën e 1 Qershorit, në program ishin shfaqje, animatorë, cirk, kinema dhe shumë hapësira për lojëra dhe surpriza.
Fun Fair Albania në ditën e fundit të këtij edicioni, numëroi me dhjetëra aktivitete, lojëra, kënde kreative e surpriza.
Festa e 1 Qershorit i dha edhe më shumë gjallëri panairit të argëtimit me pjesëmarrjen masive të fëmijëve. Sheshi “Italia” ishte vendi ku u përqendruan aktivitetet e Fun Fair Albania me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ftoi prindërit e gjyshërit të sjellin fëmijët, nipërit dhe mbesat për t’u bërë pjesë e kësaj atmosfere të veçantë, ku argëtimi, krijimtaria dhe gëzimi bashkohen në një festë të madhe kushtuar më të vegjëlve.
Dita nisi me shfaqjen “Tre derrkucët” të Teatrit të Kukullave, lojëra me animatorë, shfaqje nxënësish, poçeri, orë edukative mbi sigurinë rrugore, mësim patinash etj.
Ndërsa në orët e pasdites ka shfaqje të Cirkut Kombëtar, pikturë, face painting dhe shfaqje filmash.
Fun Fair Albania. Fotot nga Florian Abazaj 1 nga 18/j.p/r.e/