E Hënë, 2 Nëntor 2026

Funari, në fokus të investimeve për infrastrukturën rurale dhe zhvillimin e turizmit

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Në fshatin turistik të Funarit, 20 kilometra larg Elbasanit vijojnë punimet për mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe pastrimin e kanaleve kulluese.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishte sot në njësinë administrative Funar, ku pa nga afër ecurinë e punimeve, të cilat kanë qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe parandalimin e përmbytjeve.

Aktualisht janë kryer punime për pastrimin e rezervuarit në Mollagjesh, mirëmbajtja e rrugëve në Cërujë, Mollagjesh dhe Branesh (Likrama). Ndërkohë po vijojnë punimet për rrugët në Bixëlle, Preçë e Poshtme dhe Korrë, pastrimin e kanaleve në Branesh.

Kryebashkiaku Llatja vlerësoi punën e ekipeve në terren dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

“Funari është një nga zonat më të bukura të bashkisë Elbasan, me potencial të madh për turizëm dhe bujqësi. Reshjet e fundit sollën disa probleme, por ndërhyrjet kanë nisur menjëherë për pastrimin e kanaleve kulluese dhe mirëmbajtjen e rrugëve rurale. Me bashkëpunim dhe angazhim synojmë që Funari të zhvillohet si një hapësirë e pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët”, u shpreh Llatja.

Llatja tha se “fillimisht kemi siguruar pastrimin e këtyre kanaleve dhe digës së liqenit, ndërsa më pas jemi fokusuar te mirëmbajtja e rrugëve të fshatrave, qendrave dhe lagjeve të brendshme, për të përmirësuar infrastrukturën rurale dhe lehtësuar lëvizjen e banorëve”.

Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turizmin rural, kulturor dhe sportet në natyrë.

Fshati turistik i Funarit është një nga katër zonat e shpallura prioritare për zhvillim nga këshilli bashkiak i Elbasanit, së bashku me Gjinarin, Treganin dhe Shushicën. Këto zona përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik dhe mjedisor për qytetin dhe rajonin.

Vendimi bazohet në Ligjin nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, si dhe në udhëzimet përkatëse të miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror, si dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kulturore të këtyre zonave.

1 nga 7

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›