“Fundi i Golemëve” premierë në TKOB pas gjashtë dekadash, Ciko: Lapidar i krijimtarisë sonë

TIRANË, 29 maj/ATSH/ “Fundi i Golemëve”, opera shqiptare e kompozitorit Nikolla Zoraqi, është vënë premierë mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Kjo vepër monumentale shqiptare vjen pas më shumë se gjashtë dekadash që nga krijimi, duke sjellë në skenë luftën, dashurinë, tradhtinë dhe fatin tragjik të familjes Golemi.
Me libret nga Kolë Jakova, nën dirigjimin e maestros Zhani Ciko “Mjeshtër i Madh” dhe me konceptin regjisorial të Nikolin Gurakuqit, “Mjeshtër i madh”, publiku kishte mbushur sallën e TKOB-së duke duartrokitur këtë “lapidar të krijimtarisë sonë”, siç e cilëson Ciko.
Mjeshtri Ciko është shprehur se opera trajton një subjekt që është i veçantë dhe i patrajtuar në dramaturgjinë teatrore dhe operistike shqiptare, periudhën e fundit të jetës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti.
Sipas tij, opera pasqyron edhe vazhdimësinë e qëndresës së shqiptarëve për mbrojtjen e pavarësisë pas vdekjes së heroit kombëtar.
“Kjo vepër ka lindur mbi bazën e një tregimi shumë të njohur të letërsisë shqiptare të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit”, të cilin dramaturgu legjendar i dramës shqiptare Kolë Jakova e hodhi në vargje dhe e bëri një libret të përshtatshëm për opera, që ia besoi kompozitorit Nikolla Zoraqi”, është shprehur Ciko para shfaqjes.
“Fundi i Golemëve”, një opera që i flet shpirtit shqiptar do të vijojë të shfaqet çdo mbrëmje deri në 31 maj.
Fotoreporter, Florian Abazaj
/r.e/