GAZA – Bombardime të reja izraelite, pavarësisht thirrjes së Trump për ndalim sulmesh

TEL AVIV, 4 tetor /ATSH-DPA/ – Sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës vazhduan sot, sipas burimeve palestineze, pavarësisht thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e menjëhershëm të bombardimeve në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Burime mjekësore raportuan për viktima nga disa sulme ajrore në qytetin e Gazës në orët e para të mëngjesit.
Ushtria izraelite nuk komentoi mbi sulmet kur u pyet nga mediat.
Megjithatë, një zëdhënëse tha se ushtria nuk kishte shpallur zyrtarisht ndalimin e bombardimeve, siç ishte raportuar nga media izraelite.
Sipas disa mediave, ushtria ishte udhëzuar të pezullojë ofensivën për marrjen e Qytetit të Gazës, metropoli kryesor i territorit dhe të kryejë vetëm operacione mbrojtëse kundër kërcënimeve në terren.
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) paralajmëroi banorët të mos kthehen në qytetin e Gazës, duke e përshkruar atë si një “zonë lufte të rrezikshme”.
Në një deklaratë në arabisht të postuar në platformën X, IDF tha se ushtarët izraelitë ndodhen ende në qytet dhe shtoi se “për sigurinë tuaj, shmangni rikthimin në veri ose afrimin me zonat ku veprojnë trupat e IDF,së përfshirë edhe pjesët jugore të Rripit të Gazës”./ /Ad.Ab./