GAZA – Dhjetëra të vrarë pas sulmeve izraelite

TEL AVIV, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Dhjetëra njerëz u vranë sot në mëngjes në Rripin e Gazës nga sulme ajrore izraelite, sipas burimeve mjekësore palestineze.
Stafi mjekësor në spitalin ”al-Awda” në Nuseirat tha se 30 trupa u sollën pas sulmeve.
Të paktën tetë nga të vdekurit thuhet se ishin anëtarë të së njëjtës familje.
Dëshmitarët okularë raportuan sulme të shumta izraelite në ndërtesa banimi në veri të Nuseirat.
Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur dhe ushtria izraelite deri më tani nuk ka komentuar mbi raportet.
Sulmi erdhi vetëm disa ditë pasi ushtria izraelite, nën kritika në rritje ndërkombëtare për situatën e rëndë humanitare në Gazën e sulmuar, tha se do të respektonte pauza humanitare 10-orëshe çdo ditë në pjesë të Rripit ku trupat e saj nuk po veprojnë.
Këto përfshijnë al-Mawasi në jugperëndim, Deir al-Balah në qendër dhe veriun e Gazës./ /Ad.Ab./