GJENEVË – Kievi fillon konsultimet me amerikanët për marrëveshjen e paqes me Moskën

KIEV, 22 nëntor /ATSH-AFP/ – Ukraina së shpejti do të zhvillojë bisedime në Zvicër me Shtetet e Bashkuara për të diskutuar planin e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, njoftoi sot një zyrtar i lartë ukrainas.
“Në ditët në vijim, ne do të nisim konsultimet në Zvicër midis zyrtarëve të lartë ukrainas dhe amerikanë mbi parametrat e mundshëm të një marrëveshjeje të ardhshme paqeje”, deklaroi Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës në Facebook.
“Ukraina po i afrohet këtij procesi me një kuptim të qartë të interesave të saj. Ky është një fazë e re në dialogun që ka vazhduar prej disa ditësh dhe që synon kryesisht të harmonizojë vizionin tonë për hapat e ardhshëm”, shtoi ai.
Presidenti Volodymyr Zelensky nënshkroi një dekret sot për delegacionin që do të marrë pjesë “në procesin e negociatave me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të Ukrainës, si dhe me përfaqësuesit e Rusisë”.
Sipas dekretit, delegacioni do të udhëhiqet nga krahu i djathtë i Zelenskyt, shefi i presidencës, Andriy Yermak, dhe do të përfshijë, ndër të tjerë, krerët e shërbimeve të sigurisë dhe ato sekrete plus Shefin e Shtabit të Përgjithshëm.
Në thelb është një delegacion ushtarak.
Të premten, Zelensky hodhi poshtë planin amerikan për t’i dhënë fund gati katër viteve të pushtimit rus dhe pohoi se do të përpiqej të sugjeronte zgjidhje alternative për Uashingtonin.
Teksti shihet me shqetësim në Kiev sepse përfshin disa kërkesa kryesore të bëra nga Rusia.
Plani përfshin, në veçanti, lëshimet territoriale nga Ukraina dhe një zvogëlim të madhësisë së ushtrisë së saj, por gjithashtu ofron garanci sigurie perëndimore për Kievin.
Donald Trump dhe Vladimir Putin, nga ana e tyre, ushtruan presion mbi Zelenskyn që ta pranonte tekstin./ /os/