E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Berlini: E ardhmja e Groenlandës nuk duhet të vendoset nga SHBA-ja

BERLIN, 11 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin territorial, dhe si e tillë e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga Groenlanda dhe Danimarka, tha sot zëvendëskancelari dhe Ministri i Financave gjerman, Lars Klingbeil.

“I takon vetëm Danimarkës dhe Groenlandës të vendosin për të ardhmen e Groenlandës”, tha Kingbeil, i cili gjithashtu kryeson Partinë Socialdemokrate (SPD), përpara udhëtimit të tij në Uashington.

“Parimet e së drejtës ndërkombëtare, të tilla si respekti për sovranitetin dhe integritetin territorial, vlejnë për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Kingbeil.

“Ne po rrisim sigurinë në Arktik së bashku, si aleatë të NATO-s, jo në kundërshtim me njëri-tjetrin”, shtoi ai.

Groenlanda, shtëpia e më pak se 57 000 njerëzve dhe rreth katër të pestat e mbuluara nga akulli, është kryesisht autonome, por zyrtarisht pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, një anëtare e NATO-s.

SHBA-ja ka ftuar në Uashington, ministrat e Financave të disa vendeve, për të diskutuar aksesin në lëndët e para të rëndësishme.

Klingbeil tha se bisedimet do të fokusoheshin edhe në ambiciet e SHBA-së në Groenlandë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kohët e fundit ka kërcënuar vazhdimisht me pushtimin e dhunshëm të Groenlandës, duke pretenduar: “Ne duhet ta kemi atë”.

Ai iu referua rëndësisë së madhe strategjike të ishullit dhe një pranie të fortë të kohëve të fundit të anijeve ruse dhe kineze në rajon.

Deklaratat e Trump po shkaktojnë shqetësim të madh pasi ai nuk përjashtoi shtrëngimin ushtarak dhe ekonomik për të fituar kontrollin mbi Groenlandën.

“Do të doja të bëja një marrëveshje, në mënyrën e lehtë, por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë”, u tha Trump gazetarëve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›