GJERMANI – Dhjetëra mijëra trupa evropiane të nevojshme në Ukrainë

BERLIN, 21 gusht /ATSH/ – Liderët evropianë të NATO-s nuk duhet të jenë naive kur diskutojnë për një forcë paqeje në Ukrainë, por duhet të përballen me realitetin se do të nevojitet të dërgojnë dhjetëra mijëra trupa në vend për një periudhë të gjatë, tha kreu i sindikatës së ushtarëve gjermanë, sipas “Reuters”.
Presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të ndërmjetësojë paqen midis Moskës dhe Kievit, por ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë folur në favor të vendosjes së trupave si pjesë e një koalicioni vullnetar pas luftës, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz gjithashtu ka shfaqur gatishmëri për pjesëmarrjen gjermane.
Koloneli Andre Wuestner, kreu i shoqatës së Forcave të Armatosura gjermane, u bëri thirrje sot liderëve evropianë të mos e nënvlerësonin detyrën ushtarake, por të ishin të sinqertë për sfidat, edhe pse një armëpushim i shpejtë duket i pamundur.
“Nuk do të mjaftojë që disa gjeneralë dhe njësitë e vogla ushtarake të drejtojnë një post komandimi në Ukrainë”, tha Wuestner, i cili përfaqëson më shumë se 200 000 ushtarë aktivë dhe të dalë në pension.
“Që nga fillimi, duhet të bëhet e qartë për Putin, dhe të mbështetur e nga forcat ndërkombëtare, se jemi totalisht seriozë për garantctë e sigurisë”, shtoi ai.
“Seriozë për të mbështetur Ukrainën, seriozë për të garantuar armëpushimin dhe seriozë për reagimin tonë nëse Putin përpiqet të sulmojë përsëri Ukrainën”.
Ai vlerësoi se secili nga vendet kryesore të “koalicionit të të vullnetshmëve”, si Britania, Franca dhe Gjermania, do të duhej të vendoste të paktën 10 000 trupa në Ukrainë për një periudhë të gjatë, duke paraqitur një sfidë të madhe për forcat e tyre tashmë të ngarkuara dhe të pakta. /Ad.Ab./