E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Dobrindt mbron politikën e rreptë për pranimin e afganëve

BERLIN, 23 gusht / ATSH- DPA/ –  Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, hodhi sot poshtë thirrjet për të përshpejtuar aplikimet për azil nga afganët, pavarësisht kritikave nga komisioneri i qeverisë për të drejtat e njeriut.

“Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga procedurat standarde të pranimit apo kontrollet e sigurisë”, tha Dobrindt.

Ai shtoi se qeveria, e cila mori detyrën në fillim të majit, nuk mund të pritej të zgjidhte probleme që ishin grumbulluar për vite, duke akuzuar qeverinë e mëparshme se ia kishte lënë atij këtë “barrë”.

Dobrindt u zotua të shqyrtonte aplikimet në mënyrë që të sigurohej saktësia maksimale mbi atë se kush po hynte në vend, nga vjen, për çfarë arsye dhe nëse kishte të drejtë për azil.

“Dhe nëse pranimi nuk është i justifikuar, nuk do ta mbështes këtë. Po e bëj me kujdes dhe kjo do të marrë kohë”, shtoi ai duke sinjalizuar se procesi do të zgjasë me muaj.

Ndërkohë, komisioneri për të drejtat e njeriut, Lars Castellucci, u bëri thirrje ministrive të Brendshme dhe asaj të Jashtme të përshpejtojnë aplikimet e afganëve në Pakistan, të cilët shihen si veçanërisht të rrezikuar nga persekutimi i talebanëve.

Castellucci theksoi se koalicioni i kancelarit Friedrich Merz kishte rënë dakord për një politikë migrimi të rregullt dhe humanitare, por kontrollet lidhur me Afganistanin nuk po e plotësonin asnjërin nga këto kritere.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›