GJKKO dënon me burg dy persona për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm”

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin për dënimin e dy shtetasve, Zef Mali dhe Jemine Çoku, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Procesi, i cili u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, u kryesua nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Alma Kodraliu dhe Etleva Deda.
Pas shqyrtimit të fakteve të procedimit penal nr. 196 të vitit 2025, Gjykata doli me vendimet përkatëse për të dy të pandehurit:
Zef Mali u deklarua fajtor për veprën penale në bashkëpunim dhe fillimisht u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 1 vit e 8 muaj burgim. Si dënim plotësues, Malit i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Jemine Çoku u deklarua fajtore dhe u dënua përfundimisht me 8 muaj burgim (nga 1 vit që ishte dënimi fillestar). Megjithatë, Gjykata ka aplikuar nenin 52/a/1 të Kodit Penal, duke urdhëruar përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit me burg.
Provat dhe procedura
Gjatë procesit, Gjykata urdhëroi që provat materiale të mbeten për llogari të një dosjeje të ndarë, ndërsa CD-të e përgjimeve dhe të dhënat nga kompanitë celulare do të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor si prova kyçe të akuzës.
Të pandehurit janë ngarkuar gjithashtu me shpenzimet e hetimit dhe ato gjyqësore në mënyrë solidare.
Vendimi nuk është përfundimtar. Palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda një afati prej 15 ditësh.
Skema 20 mijë euro
Sipas hetimeve të SPAK, ish-gardisti Zef Mali, i cili në kohën e ngjarjes mbante detyrën e rëndësishme të oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës, ka vepruar si sekser në bashkëpunim me shtetasin Kreshnik Domi.
Objektivi i tyre ishte Jemine Çoku, e cila po kërkonte me dëshpërim transferimin e vëllait të saj, Kujtim Çeliku, nga një burg në Turqi drejt Shqipërisë. Duke shfrytëzuar autoritetin e uniformës dhe duke krijuar bindjen se kishin “lidhje” në Ministrinë e Drejtësisë, të pandehurit i kanë marrë Çokut shumën prej 20 mijë eurosh me premtimin se procedurat do të përshpejtoheshin.
Hetimet kanë provuar se Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me Jemine Çokun dhe familjarët e saj. Gjatë kësaj periudhe, ata i kanë ushqyer ata me shpresën se paratë po “hapnin dyert” e administratës për sjelljen e të dënuarit në atdhe.
/rtsh.al/