GJKKO vendos masat për vrasjen e Klevis Lleshit, arrest me burg për ekzekutorin

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Sabah Nuzi, i akuzuar si ekzekutori i 22-vjeçarit Klevis Lleshi, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020.
Sipas SPAK, Nuzi është paguar 50 mijë euro nga Aurel Hoxha, i njohur si Aurelinjo Kalaveri, i cili porositi vrasjen për hakmarrje pas vrasjes së vëllait të tij, Agim Hoxha, në vitin 2012 në Angli. Por para gjykatës Nuzi ka mohuar akuzat.
Në të njëjtën çështje, GJKKO vendosi “arrest shtëpie” për Samet Lokën, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxha, i përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika e Jugut drejt BE-së dhe Shqipërisë, si dhe në pastrimin e parave.
Sajmir Kolaveri u arrestua në Itali dhe akuzohet si ndërmjetës mes Aurel Hoxhës dhe Sabah Nuzit, për pjesëmarrje në grup kriminal, vrasje për gjakmarrje dhe mbajtje armësh.
Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol” dhe agjencisë turistike “Elite Event” në Tiranë, është shpallur në kërkim.
Saga e gjakmarrjes mes fiseve Lleshi dhe Hoxha ka nisur që në vitin 2012 dhe ndër vite ka lënë pas disa viktima nga të dyja palët. Në këtë konflikt u vranë edhe Xhavit Lleshi, babai i Klevisit, si dhe vëllai i tij, Hajredin Lleshi. Ndërkohë, pas ekzekutimit të Klevis Lleshit në vitin 2020, trupi i tij u zhduk dhe u gjet vetëm pas dy vitesh e gjysmë, nga banorë të zonës në Shpërdhet të Kurbinit.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/