GREQI – Gerapetritis: Gati për rol aktiv për kalim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit

ATHINË, 4 maj /ATSH-ANA/ – Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, deklaroi se vendi është i gatshëm të marrë një rol aktiv për të siguruar kalimin e lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
Pas takimit me homologun e tij gjerman, Johann Wadephul, në Athinë, Gerapetritis theksoi se Greqia mbështet iniciativat ndërkombëtare për garantimin e lirisë së lundrimit dhe është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me komunitetin ndërkombëtar të transportit detar.
Ai nënvizoi se respektimi i lirisë së navigimit është një detyrim universal, i cili lidhet jo vetëm me tregtinë globale, por edhe me paqen dhe prosperitetin e vendeve në mbarë botën.
Sipas tij, kjo çështje është ngritur në kohë edhe nga Greqia në kuadër të rolit të saj si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ministri grek paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të krizës në rajon, duke theksuar se një situatë e tillë mund të ketë pasoja serioze për ekonominë globale, zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit me ushqime dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh në rritje në Lindjen e Mesme, ku siguria e rrugëve detare strategjike si Ngushtica e Hormuzit mbetet thelbësore për stabilitetin ekonomik dhe energjetik global./ /Ad.Ab./ a.jor.