E Diel, 1 Nëntor 2026

Galeria e arteve në Shkodër, nga shtatori rikthehet me një kalendar të pasur artistik

Pas një sezoni veror të fokusuar edhe në prezantimin e veprave të fondit, Galeria e Arteve në Shkodër përgatitet të nisë nga shtatori një tjetër periudhë intensive aktivitetesh. Kalendari artistik i gjysmës së dytë të vitit pritet të sjellë ekspozita dhe projekte të ndryshme të artit pamor.

“Ne fillojmë shtatorin me dy evente të rëndësishme, siç është programi i edukimit, ku kemi të ftuar artistin, piktorin e filmit shqiptar ose të kinematografisë shqiptare, zotin Astrit Tota, dhe ne do njihemi me veprën, atë që publiku s’ka pasur kurrë mundësi me e pa prej afër, që e ka parë gjithmonë ose nga salla e kinemasë, ose nga divani i shtëpisë, përmes televizorit. Pra, se si arti figurativ, piktori ndërton filmin, ndërton, është element kryesor i kinematografisë, se si ka ndikuar, se si ka bashkëjetuar dy arte tradicionale, nganjëherë edhe në garë me njëri-tjetrin, se si ka ndërtuar imazhin që ne kena konsumuar. Pastaj do vijojmë me një autore lokale, artisten Xhovana Preçetaj, e cila vjen me një solo, një artiste e pikturës bashkëkohore ”, tha Fatmir Juka, Përgjegjës, Galeria e Arteve Shkodër.

Muajt nga shtatori deri në dhjetor do të shënojnë rikthimin e plotë të veprimtarive në ambientet e galerisë, me një program që synon t’i japë hapësirë krijimtarisë artistike dhe të ruajë interesin e publikut për artet pamore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›