E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara ndizet në PD Gramsh: dy emra të fortë në betejë për drejtimin”

Që prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm ka nisur procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të degës së Partisë Demokratike në Gramsh. Gazetari Shkëlzen Henkoja raporton se në garë janë dy kandidatë: Durim Hoxha dhe Asim Cekrezi.

Të dy kandidatët janë figura të njohura për publikun. Durim Hoxha, me profesion infermier, ka mbi 13 vite eksperiencë në repartin e urgjencës së spitalit të Gramshit dhe prej 8 vitesh ka mbajtur poste të ndryshme në strukturat e Partisë Demokratike në këtë degë.

Nga ana tjetër, Asim Cekrezi është një emër i konsoliduar në jetën politike lokale. Ai ka mbajtur dy mandate si kryetar komune dhe ka qenë kandidat për kryetar të Bashkisë Gramsh në zgjedhjet e vitit 2023, ku arriti një rezultat të konsiderueshëm, duke ngushtuar diferencën historike me kundërshtarët, nga mbi 2500 vota në rreth 600 vota diferencë.

Gara mes dy kandidatëve pritet të jetë e fortë, pasi të dy gëzojnë respekt dhe mbështetje në komunitet.
Aktualisht, dega e Partisë Demokratike në Gramsh numëron rreth 900 anëtarë aktivë, të cilët do të përcaktojnë me votën e tyre drejtimin e ri të kësaj force politike në rreth.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›