Gati 20 mijë denoncime në platformën “Hapësira ime publike”, mbi 15 mijë raste të zgjidhura

TIRANË, 16 mars /ATSH/ Në të gjithë territorin e vendit po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 19 728 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 15 179 raste, ndërsa 4 549 të tjera janë në proces shqyrtimi.
Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
E nisur në korrik 2025, ajo është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
/a.f/