E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetari denoncoi se është kërcënuar, policia: Po punohet për identifikimin e autorit

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se ka referuar në Prokurorinë e Tiranës, pas kallëzimit të gazetarit Osman Stafa, banues në Tiranë, i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social.

Sipas policisë, mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar.

Policia bëri të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”.

Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni që cenon sigurinë dhe lirinë e tyre për të ushtruar profesionin.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›