E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetari e pyet për familjen e Thaçit, përlotet ish-luftëtarja e UÇK-së, kujton babain e ndjerë: “Nuk arriti…”

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Elhame Hetemi nuk i ka mbajtur dot lotët teksa ka folur për familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Hagës për ish-krerët e UÇK-së.

Ajo foli për dënimin e dhënë për krime lufte, duke shprehur zhgënjimin e thellë të popullit të Kosovës. Teksa u pyet për përjetimet e familjes së Thaçit, duke qenë e afërt me ta, ajo është përlotur dhe ka kujtuar babain e ndjerë të zotit Thaçi, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar.

“Ne nuk dorëzohemi. Të bëjmë përpjekje të gjithë bashkërisht që të dalim nga kjo situatë, nga këto akuza të padrejta”, tha ajo.

“Historia nuk rishkruhet. Ata janë heronj të çlirimit, të pavarësisë, të shqiptarëve. Të bëjmë përpjekjet maksimale të dalim nga kjo situatë e pamerituar”, tha zonja Hetemi.

Ajo u bëri thirrje Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës të bëjnë historinë e dy vendeve për të mos lejuar narrativa të gabuara.

“Ne nuk mund të lejojmë këto njolla, këto narrativa. Duhet të luftojmë fort që realiteti i shqiptarëve të zbardhet. E kemi neglizhuar, nuk kemi bërë sa duhet që e drejta të fitojë”, deklaroi ish-luftëtarja e UÇK-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›