E Martë, 3 Nëntor 2026

“Giro d’Italia” në Shqipëri, nis trajnimi i punonjësve të Policisë Rrugore

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Policia nisi trajnimin e punonjësve të Policisë Rrugore që do angazhohen për eskortimin e çiklistëve pjesëmarrës në turin “Giro d’Italia 2025″.

Trajnimi po zhvillohet në Akademinë e Sigurisë, nga ekspertë të lartë, përfaqësues të Policisë dhe Ministrisë së Brendshme të Italisë, ndër to drejtues i Lartë Eugenio Amorosa, këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Italisë dhe drejtues i Parë Mirella Pontiggia, drejtuese e Seksionit të Policisë Rrugore të Veronës, të shoqëruar nga ekspertë të Zyrës së Sigurisë Italiane në Tiranë.

Ekspertët u pritën nga rektori i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Ilir Mandro dhe drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore Drejtues i Parë Altin Qato.

Rektori Mandro e ka njohur ekipin e ekspertëve të lartë italianë, me transformimin e Akademisë dhe i ka siguruar se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht që ky aktivitet të zhvillohet në kushte të plota sigurie, në mënyrë që të ndikojë në rritjen e vazhdueshme të imazhit të Shqipërisë, në botë.

Ndërkaq, Qato u shpreh se pavarësisht mungesës së përvojës për aktivitete të këtyre përmasave apo angazhimit të shtuar të punonjësve të Policisë, gjatë procesit zgjedhor, Policia e Shtetit do ta përballojë me sukses mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, duke koordinuar veprimet me të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse.

Ky trajnim disaditor do të përfshijë trajnimin teorik dhe vizita dhe terren në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, ku do të zhvillohen 3 faza të turit “Giro d’Italia 2025″, më 9-11 maj, 2025. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›