Gjenden shkelje ne Prokurorine e Elbasanit
Konstatohen shkelje në Prokurorinë e Elbasanit. Pas Ministrisë së Drejtësisë, zyra e inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka ndërmarrë për javë të tëra një kontroll në këtë prokurori, duke gjetur shkelje që kanë të bëjnë me pushime të dosjeve penale dhe me zgjatjen e afateve të hetimit. Një raport i detajuar do t’i serviret kryeprokurores Ina Rama, e cila do të krahasojë dy raportet: atë të ministrisë dhe të zyrës së inspektimit në akuzën qendrore, për të vendosur më pas për ndonjë masë të mundshme. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se, kontrolli ka gjetur dhjetëra shkelje, ndërsa do të rekomandohet edhe marrja e masave disiplinore për prokurorë dhe OPGJ-të konkretë. Disa javë më parë, Ministria e Drejtësisë përfundoi një kontroll tremujor në Prokurorinë e Elbasanit në lidhje me dosjet e pushuara e të pezulluara. Mësohet se kontrolli ka nisur në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe përfundoi në fund të muajit shkurt, ku kanë kaluar në “sitë” dosjet penale. Sipas tyre, janë gjetur disa parregullsi në pushimin e dosjeve, ndërsa Drejtoria e Inspektimit hartoi raportin e plotë që iu dërgua zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Prokuroria e Elbasanit është e treta në radhë nga akuzat në Shqipëri, që i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm. Të njëjtin fat kanë pasur edhe Prokuroritë në Durrës dhe Tiranë, ku inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë gjetur disa shkelje, ndërsa i kanë rekomanduar kryeprokurores Ina Rama masa ndaj disa prokurorëve.