Gjenden të pajetë 27 vjeçari dhe foshnja 3 muajshe/ Gjilan, arrestohet babai i të riut, dyshimet e para

Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin tragjik në fshatin Demiraj, ku në një shtëpi janë gjetur pa shenja jete dy persona, një 27-vjeçar dhe një foshnje.
Sipas raportimit të saj, rasti është zbuluar rreth orës 08:47 të mëngjesit, kur zyrtarët policorë nga rajoni i Gjilanit janë njoftuar për ngjarjen dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me prokurorin e shtetit dhe ekipet emergjente mjekësore.
“Policia nga rajoni i Gjilanit është stacionuar në një hapësirë të fshatit Demiraj, pasi është informuar për një rast tragjik që kishte ndodhur në një shtëpi. Aty janë gjetur dy trupa të pajetë, njëri i përkiste një 27-vjeçari, ndërsa tjetri një foshnjeje të vogël. Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, prokurori i shtetit dhe ekipet emergjente mjekësore, të cilat kanë konstatuar se dy personat ishin pa shenja jete”, ka raportuar Zogaj për “Info Magazine”.
Ajo ka bërë të ditur se, bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes. Në cilësinë e të dyshuarit është arrestuar babai i viktimës, 65-vjeçar, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Gazetarja ka sqaruar gjithashtu se rasti fillimisht ishte cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pas zhvillimit të hetimeve është rikualifikuar dhe po trajtohet në kuadër të veprës penale të vrasjes.
“Rasti që nga momenti i parë ka pasur dy cilësime. Në mëngjes, nga prokurori është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pas hetimeve të zhvilluara është rikualifikuar dhe tashmë do të hetohet në kuadër të veprës penale të vrasjes”, ka bërë të ditur ajo.
Megjithatë, deri më tani nuk dihen rrethanat e sakta që kanë çuar në vdekjen e dy personave dhe as mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra.
“Ende nuk mund të konfirmohet se me çfarë mjeti është kryer vepra penale. Ajo që dihet deri në këto momente është se ka një person të arrestuar, ndërsa rrethanat e tjera pritet të bëhen të ditura gjatë vazhdimit të hetimeve”, ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

