E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjergj Mena vdiq edhe një herë tjetër

Gjergj Mena vdiq dhe unë nuk shkova në varrim. Vdiq, në mesin e një intrige politike. Në mesin e një historie të trishtë konfliktesh, që Shqipëria në çdo epokë përsërit të njëjtën krizë.

Gjergj Mena, kur ishte gjallë më ftonte në teatër dhe unë nuk shkoja as atje. Megjithatë, mendoj se ishte ndër të paktët që i gëzohej kësaj zgjedhje. Ndryshe, do të mi refuzonte drekat dhe darkat e gjata, që kohë më parë organizoja me miq. Që sot, nuk flas më. Gjergj Mena, vinte gjithmonë. E thërrisnim Gjeke dhe i pëlqenin këngët franceze. Nuk kuptonte asgjë, natyrisht. Nuk dinte frengjisht. Nuk dinte as se ç’ndodhte në kokën time dhe si zgjidhja të luaja me të. Gjekes, i vendosja  një kapele kur ishte kohë e zymtë dhe e ulja në një bar, ku i ndjehej vetmia. Kur koha ishte e mire, e ulja në një stol, ku mund të linte në anë librat e tij. Pastaj, kur kthehesha në shtëpi pas një nate që harronim të pinim ujë, mendoja për Gjergjin prapë.  E imagjinoja duke përkthyer. Vetëm kështu më zinte gjumi.

Por Gjergji nuk bënte asgjë nga këto! Ai vetëm në Teatër shkonte dhe nuk mësoi kurrë frengjisht. As u çmend! Mbase, ndaj vdiq.

Gjekja vdiq të hënën e parë të nëntorit në Tiranë. Por edhe nëse do të vdiste në Paris, unë do të zgjohesha prapë me thirrje dhe mesazhe të panumërta në telefon. Më erdhi keq!  Për të vdekurit më shumë se për të gjallët. Ne jemi bërë një shoqëri kurioze. Një shoqëri që thashethemi është më i rëndësishëm se aftësia. Një shoqëri që korifenjtë nuk kanë më rëndësi, se sa qëllimi i mjeteve moderne të komunikimit që shfrytëzojnë pikërisht këtë dobësi.

Njëri vdes.

Tjetri filmon.

Një tjetër, përhap lajmin.

Një tjetër, portal e publikon.

Një tjetër, pastaj e kopjon.

Dhe dhjetëra faqe, e publikojnë.

Një mijë njerëz e dërgojnë në ËhatsApp.

Njëqind mijë e shohin.

Dhe në fund askush nuk ndihet fajtor.

Askujt nuk i bëhet vonë, për atë që vdiq, sa për aktin e shpërndarjes.

Gjergji vdiq të hënën dhe unë nuk shkova në varrim. Ajo që mendoj është se si ne jemi  të gatshëm të ekperimentojmë gjithmonë natyrën tonë për një parcelë tokë.  Zakon ky, i mbetur qysh nga koha e shokut Zylo kur shkonte në dasma dhe zijafete, në zona të Shqipërisë dhe shihte se si turma pinte dhe ngrinte shumë dolli për dy këto raste. Duke kapërcyer me të  njëjtën lehtësi, nga parcelat eksperimentale të mortit, në gostitë e zjarrta të estradave që trajtojnë zakonet tona tradicionale.

Një zakon, që i detyron  Gjinët, Gjonët apo Gjergjët, ta respektojnë.

Sepse këta njerëz, kanë një natyrë tepër lirike, meditative dhe shumë gjendje shpirtërore për të gjykuar në përgjithësi gjithë rendimentet që prodhon në çdo kohë koperativa.

Dikur ishte bujqësore.

Sot është artistike.

Rashë në mendime! Jo për atë se si jeta na mund, sa për atë çka do të ndjeja përballë trupit të pajetë të Gjergjit, i cili mund të lëvizte ndonjë çast në imagjinatën time dhe unë s’do të dija si të reagoja pastaj. Nëse do të shkoja në varrim. Kuptohet!

Ku ai për turpin tim, nuk do të kishte natyrisht më: as kapele, as libra, as këngë franceze dhe as përkthime. Si ato në tjera kohë. Kur ishim të gjithë pak më të lumtur se sot.

Gjergji vdiq dhe unë nuk shkova në varrim. Sidoqoftë, në fund dua të them se  duhet të jetë një vepër shumë e keqe, që të na bëj bashkë të gjithëve. Në mos e keqe, duhet të jetë gjithmonë vepra e fundit, që syresh të bëj tok një turmë vulgare, të mos mbajë në duar më një biletë teatri, por një grusht me dhe. Për të parë një kufomë për orë të tëra se si varroset. Për të parë një trup të trishtuar se si të thyen monotoninë e farkëtuar. Për të parë, edhe një herë se si koha ndryshon njerinë nga jashtë dhe brenda. Siç të vdekurin, nga i gjalli. Edhe pse jo, për të kujtuar edhe pak Kadarenë. Se sa rrallë shihemi, ndërsa jetojmë të gjithë në një qytet.

Gjergj Mena, ishte aktor i qytetit tim.

Por ai, nuk ishte një si ne.

Ngase, nuk gjykonte.

Ngase, falte.

Ngase, për hir të parimit toleronte.

Ngase, i dukeshin simpatik parazitët.

Ngase se ata janë gjithmonë me dy këmbë, dy rroga, dy shtëpi, dy role dhe dy jetë.

Ngase, se janë të gjallë të pavarrosur.

Ngase, se Gjergji vuante duke na parë se si shëmtoheshim çdo ditë.

Ngase, se nuk na tha asgjë.

Apo ngase,  se kishte ëndërruar një vdekje tjetër. Mbase në Paris. Ose, fundja edhe në Athinë.

Mbase mund të ishte pak shumë entuziast dhe të linte te vdiste më vonë. Një herë tjetër. Një ditë tjetër!

Megjithatë, asgjë nga këto nuk ka rëndësi. Gjergj Mena, vdiq dhe unë për turpin tim, nuk shkova në varrim.

Unë nuk dua të më vij asnjë kur të vdes. Vdekja është e mërzitshme gjithmonë. Sidomos për të gjallët!

Dhe i vdekuri nuk i honeps përshëndetjet e të gjallëve me të gjallët, si ato grupet folklorike në ansambël në fund të shfaqes.

Një shenjë  patriarkale kjo, që mendoj duhet urgjentisht të zhduket.

Aq më tepër, në parcelë.

Në orën 14:00,

dhe të hënave.

Le t’i shmangemi më mirë asaj që dimë të gjithë, kur bëjmë atë pyetjen hipokrite sa herë takohemi rastësisht njëri me tjetrin.

Kur do shihemi?

Tashmë e dimë.

“Në varrimin e rradhës.”

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›