E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjiknuri: PD-PS përfaqësim të barabartë në Komisionin për reformën zgjedhore

TIRANË, 21 tetor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendëskryetari i komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri deklaroi sot se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një ligj të standardeve më të mira europiane për sa i përket financimit të partive politike si dhe raportimit të financimit të fushatave zgjedhore.

Reforma zgjedhore ishte temë e një prej tre paneleve të konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias” të organizuar nga Kuvendi.

Duke marrë fjalën në panelin e diskutimeve mbi Reformën Zgjedhore, Gjiknuri vlerësoi fillimisht Komisionin e Venecias, si një bashkëudhëtar i përhershëm i proceseve të Reformës Zgjedhore në Shqipëri.

Gjiknuri bëri të ditur se në ditën në vijim Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë një komision të përbashkët me bashkëkryesim ku është rënë dakord edhe lidhur me përfaqësimin e barabartë mazhorancë-opozitë, në komision.

“Ne do të fillojmë një reformë të re zgjedhore ku ku shumica dhe opozita do të kenë një përfaqësim të barabartë, por do të ketë përfaqësim edhe nga paritë e vogla që janë pjesë e Kuvendit, por që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare. Kjo duke ruajtur një balancë të pastër edhe për sa i përket ekuilibrit mazhorancë-opozitë duke krijuar premisat për konsensus”, shtoi ai.

Gjiknuri theksoi se mbeten për t’u adresuar shumë nga rekomandimet e ODIHR-it, që nuk u adresuan reformën e kaluar.

“Duhet të punojmë për të pasur stabilitet zgjedhor dhe ligj zgjedhor shumë kohë para zgjedhjeve”, vuri në dukje Gjiknuri. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›