E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimshiti: Me San Marinon nuk është ndeshje e thjeshtë, përqendrimi duhet të jetë 100%

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, kërkoi përqendrim maksimal dhe mentalitetin e duhur nga skuadra në prag të përballjes me San Marinon, duke theksuar se sfida e nesërme nuk duhet konsideruar e lehtë.

Në konferencën për mediat, Gjimshiti u shpreh se Shqipëria duhet të hyjë në fushë me angazhimin maksimal, pasi mënyra e nisjes së ndeshjes dhe qasja ndaj kundërshtarit do të jenë të rëndësishme për ecurinë e saj.

“Shumica besojnë që do të jetë një ndeshje e thjeshtë, por nuk do të jetë ashtu aspak. Varet nga ne, a do ta bëjmë të thjeshtë apo jo. Përqendrimi është 100%”, tha Gjimshiti.

Kapiteni kuqezi vlerësoi edhe momentin e skuadrës, duke theksuar se pas një periudhe jo të mirë, Shqipëria është rikthyer te fitorja në një ndeshje të rëndësishme.

“Besoj që hapi i parë ishte te ndeshja e fundit që zhvilluam një lojë të mirë dhe fituam me meritë. Sigurisht synimet janë të forta. Duam vendin e parë dhe ajo që duhet të përmirësohet është i gjithë grupi, të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë për 90 minuta”, u shpreh ai.

Gjimshiti nënvizoi se në këtë nivel çdo gabim mund të ndikojë menjëherë në rrjedhën e një ndeshjeje, ndaj kërkoi që skuadra të ruajë fokusin deri në fund.

Përballë San Marinos, sipas kapitenit kuqezi, Shqipëria duhet të shfaqë agresivitetin dhe cilësinë e saj, por edhe të jetë e përgatitur për mënyrën se si do të luajë kundërshtari.

“Duhet të futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet edhe se si do të luajë San Marino, por edhe mënyra se si do të futemi ne në fushë, me agresivitetin dhe kualitetin që kemi”, tha Gjimshiti.

Ai theksoi rëndësinë e të gjithë grupit për sfidën, duke përfshirë edhe lojtarët që do ta nisin ndeshjen nga pankina.

“Të gjithë lojtarët që do të jenë në fushë dhe nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë”, u shpreh kapiteni i Kombëtares.

Gjimshiti foli edhe për repartin ofensiv të San Marinos, duke veçuar sulmuesin Nanni, me të cilin është përballur më herët. Ai e përshkroi si një lojtar fizik, rreth 1.90 metra të gjatë, që e mban mirë topin dhe që kërkon vëmendje nga mbrojtja shqiptare.

“Kanë cilësi dhe kualitet, duhet të jesh 100% i fokusuar sepse mund të ndodhë gjithçka në futboll”, tha Gjimshiti.

Ndeshja San Marino-Shqipëri do të luhet nesër në “San Marino Stadium”, në orën 20:45.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›