Gjirokastër – Programi “Siguria e të rinjve”, orë edukative dhe aktivitete sensibilizuese në shkolla

Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për realizimin e programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, strukturat e Policisë së Shtetit në qarkun Gjirokastër kanë vijuar takimet sensibilizuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Takimet e fundit janë zhvilluar me nxënësit e klasave të 6-ta të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Bilal Golemi” në Gjirokastër, nga ndihmës specialistët e DVP Gjirokastër për edukimin në shkolla, në bashkëpunim me stafin pedagogjik të shkollës.
“Jemi një ndër shkollat më të qeta për sa i përket këtij kuadri por gjithsesi është shumë më mirë të parandalojmë se sa të marrim masa. Bashkëpunimi ynë me policinë e shtetit bën që dhe komuniteti ta kthej pak më shumë kokën dhe të bëhen më bashkëpunues me ne”, u shpreh Vasilika Hoxha, Koordinatore e sigurisë ndër sektoriale në komunitete.
Për çdo klasë janë hartuar plane të posaçme për zhvillimin e aktiviteteve dhe orëve edukative, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative që prekin të rinjtë theksoj Hoxha.
“Çdo klasë kujdestari ka orët e veta edukative, ku një pjesë të tyre e zë dhuna, por edhe në planin që bëjmë organizohen sa më shumë aktivitete të tilla”, tha Hoxha.
Ky program synon të forcojë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen aktive të të rinjve në parandalimin e rreziqeve që lidhen me dhunën, abuzimin me substanca, bullizmin dhe përdorimin e pasigurt të internetit.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/