E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjon Mili në 10-vjetorin e “Marubi”, kuratori Greenberg vlerëson muzeun, koleksioni pritet t’i mbetet institucionit

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër ka hapur ekspozitën retrospektivë kushtuar fotografit të njohur shqiptaro-amerikan, Gjon Mili.

Ekspozita sjell fotografi origjinale të ruajtura prej vitesh nga kuratori i njohur amerikan Howard Greenberg dhe është realizuar falë bashkëpunimit të tij me drejtorin e muzeut, Luçiano Bedeni.

Në ceremoninë e hapjes, Bedeni tregoi se njohja me Greenberg lindi pikërisht përmes veprës së Gjon Milit, ndërsa kuratori u tregua i gatshëm që koleksioni të prezantohej për publikun shqiptar, në kuadër të 10 vjetori të muzeut  “ Marubi”.

Bedeni bëri të ditur se fotografitë e ekspozuara pritet t’i mbeten përfundimisht Muzeut “Marubi”, duke pasuruar fondin e tij me vepra të një prej emrave më të rëndësishëm të fotografisë botërore.

“I gjithë ky koleksion prej 95 veprash ekspozohet për herën e parë kaq i plotë. Kështu që për ne nuk kishte një moment më të rëndësishëm e më domethënës për me festuar me të gjithë ju 10-vjetorin e hapjes të muzeut Marubi”, tha Bedeni.

Nga ana e tij, Greenberg vlerësoi punën profesionale të bërë nga muzeu për organizimin dhe prezantimin e ekspozitës me fotot unike të Gjon Milit.

“Kjo ekspozitë që po shihni është ekspozita më e mirë që i është bërë Gjon Milit dhe për këtë falënderoj drejtorin Luçano. Një falënderim i veçantë shkon për stafin e muzeut që ka bërë një punë shumë të mirë për instalimin e ekspozitës. Fatmirësisht disa nga fotografitë që shihni kanë dalë nga kutitë ku ruheshin në galerinë time përtej ndjeshmërisë në fotografimin e Gjon Milit. Këto janë fotografi origjinale unike”, deklaroi ai.

I lindur në Korçë në vitin 1904 dhe i afirmuar në Shtetet e Bashkuara, Gjon Mili u bë i njohur në mbarë botën për fotografitë novatore të lëvizjes dhe përdorimin e dritës, duke lënë një trashëgimi të çmuar në historinë e fotografisë moderne.

Gazetar: V. Omari

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›