Gjykata e Lartë shtyn vendimin për telefonin e Leonidha Çobos, çështja cilësohet komplekse

Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë me të paktën tre javë shqyrtimin e rekursit të ish-administratorit të kompanisë koncesionare të naftës Bankers Petroleum, Leonidha Çobo, i cili kërkon rikthimin e aparatit celular të sekuestruar nga hetimet.
Trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Sandër Simoni, shqyrtoi çështjen në datën 21 maj në Dhomë Këshilli, por vendosi shtyrjen e saj për në 11 qershor 2026, duke argumentuar se dosja paraqet “kompleksitet”.
Sipas vendimit procedural, ende nuk është zbardhur arsyetimi i plotë i Gjykatës së Lartë, ndërsa mbetet e paqartë se cilat elementë e kanë bërë çështjen të konsiderohet komplekse në lidhje me sekuestrimin e telefonit celular.
Ky vendim vjen pas një serie ankimimesh mes Prokurorisë së Posaçme dhe mbrojtjes së Çobos, lidhur me vlefshmërinë e sekuestrimit të pajisjes.
Leonidha Çobo, i cili ka drejtuar “Bankers Petroleum” në periudhën 2010–2015, u arrestua në korrik 2025 me dyshime për përfshirje në një skemë të dyshuar të pastrimit të parave.
Pas arrestimit, Prokuroria e Fierit sekuestroi edhe celularin e tij, me argumentin se në pajisje mund të gjendeshin prova të rëndësishme për hetimin.
Më pas, çështja kaloi në kompetencë të Prokuroria e Posaçme, e cila vijon hetimet për një grup të strukturuar të dyshuar kriminal brenda menaxhimit të kompanisë.
Gjykata e Shkallës së Parë kishte pranuar kërkesën për kthimin e celularit, por Apeli i Posaçëm vendosi më pas ruajtjen e sekuestrimit, duke i dhënë të drejtë prokurorisë.
Çështja aktualisht ndodhet në Gjykatën e Lartë, e cila do të japë vendimin përfundimtar mbi rekursin e ish-administratorit.
Sipas të dhënave hetimore të referuara në dosje, organi i akuzës dyshon për një skemë të gjerë transaksionesh financiare të lidhura me kompani të ndryshme të lidhura me ish-drejtuesin e “Bankers Petroleum”.
Prokuroria pretendon se janë identifikuar qarkullime të konsiderueshme financiare mes subjekteve të ndryshme tregtare, të cilat po verifikohen për mungesë të justifikimit ekonomik dhe dyshime për pastrim parash.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë pritet të merret më 11 qershor 2026, kur do të përcaktohet nëse telefoni do t’i kthehet apo jo Leonidha Çobos, apo do të mbetet pjesë e provave materiale të sekuestruara nga hetimi.
Hetimet për çështjen “Bankers Petroleum” vijojnë ndërkohë nga SPAK dhe institucionet e drejtësisë.