Gjykata e Lezhës dënon me burgim të përjetshëm autorin portugez Ruben Saraiva për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt

Gjykata e Lezhës ka dhënë vendimin përfundimtar lidhur me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, duke dënuar me burgim të përjetshëm autorin portugez, Ruben Saraiva.
Sipas vendimit, Saraiva u shpall fajtor për ekzekutimin e Nikulajt, një ngjarje e ndodhur në vitin 2023 në Shëngjin, ku viktima u qëllua për vdekje brenda një lokali.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se do ta apelojë vendimin, duke pretenduar se Saraiva është i pafajshëm. Sipas tij, ndaj Saraivës u bë një gjyq popullor, teksa pretendoi se gjatë procesit gjyqësor ka patur shkelje procedurale.
“Ishte një vendim që e prisnim, por një nga arsyet është mënyra si shkoi kjo çështje që në momentin e hetimeve paraprake, por edhe gjatë gjykimit, ku gjykata nuk pranoi shumë prova dhe kërkesa tonat. Gjykata e Lezhës ka dënuar një të pafajshëm sepse nuk gjendet asnjë prove e vetme,, qoftë biologjikë apo shkencore që të implikojë në vrasje. Ne do ta apelojmë këtë vendim. Kanë dënuar një qytetar i cili ka qenë në Shqipëri, ka udhëtuar këtu, ka patur punët e veta, por për vendin e gabuar, njerëzit e gabuar ka marrë një vendim fajësie. Nuk prisja vendim tjetër nga kjo gjykatë sepse është bërë një gjyq popullor që me arrestimin e tij,, ekstradimin. Shpresojmë që Gjykata e Apelit do të ketë një vendim ndryshe. Shkeljet procedurale janë të shumta”, tha avokati Kujtim Cakrani.
Nga hetimet rezultoi se krimi ishte i mirëorganizuar dhe i planifikuar në detaje, me autorët që kishin studiuar lëvizjet e biznesmenit përpara se të kryenin atentatin.
Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor 2023 pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.
Vrasja e Nikulajt dyshohet se u porosit nga Edmond Haxhia, ndërsa të përfshirë si ndihmës janë edhe 4 shtetas britanikë.
/rtsh.al/