E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, masa si ‘dhunë në familje’/ Dy dënohen t’i rrinë larg protestës

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar pas akteve të dhunës gjatë protestës. Mes tyre ka persona me detyrim paraqitjeje, të tjerë të lënë në arrest shtëpie, si dhe të mitur të vendosur nën mbikëqyrjen e prindërve ose familjarëve.

Për 47 persona është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Pesë prej tyre kanë gjithashtu ndalim për t’iu afruar institucioneve publike dhe për të marrë pjesë në protesta, ndërsa për një protestues është caktuar edhe ndalimi i daljes jashtë vendit.

Ndërkohë, për 11 të mitur është vendosur masa “Vendosje nën mbikëqyrjen e prindit ose familjarit”.

Në arrest shtëpie janë lënë dy persona, për të cilët masa e sigurisë është caktuar për një periudhë dymujore.

Kufizime shtesë janë vendosur edhe për tre persona, të cilët, përveç detyrimit për t’u paraqitur, nuk lejohen t’u afrohen më pak se 500 metra institucioneve publike. Ata nuk mund të qëndrojnë as në sheshe apo ambiente ku zhvillohen grumbullime, tubime dhe protesta, pa autorizimin e gjykatës.

Për njërin prej tyre ., është caktuar gjithashtu ndalimi i daljes jashtë Shqipërisë, si dhe detyrimi për të dorëzuar pasaportën dhe dokumentet e tjera të udhëtimit.

Personat janë nën hetim për vepra të ndryshme penale, mes tyre shkatërrim prone, kundërshtim të punonjësve të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje të rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, si dhe shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›