Gjyqtarët kërkojnë rritje page, i drejtohen Kushtetueses. Rama: Ndërhyrje skandaloze në kompetencat e ekzekutivit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas padisë së Unionit të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, shefi i qeverisë vuri në dukje se, për herë të dytë, gjyqtarët kërkojnë të përdorin Gjykatën për të rritur pagat e tyre.
“Kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!”, shkruan Rama.
Kryeministri solli në vëmendje se, në çdo shtet, rritja e pagave është kompetencë e qeverisë dhe parlamentit, dhe jo e gjykatës.
“Sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq”, shkruan Rama.
Kryeministri dha një mesazh edhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët do të shqyrtojnë padinë e kolegëve të tyre.
“Unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne”, përfundon Rama.
Padia e Unionit të Gjyqtarëve ka marrë miratimin paraprak të Kushtetueses dhe çështja ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare./vizionplus.tv