Gjyqtarët shpërthejnë në akuza, Sadushi: Politika na sulmon, KLGJ “në gjumë”. Hoxha: Jo gjykata në fjetore

Vrasja në krye të detyrës e Gjyqtarit të Apelit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, vuri në lëvizje 260 toga të zeza të Republikës në një mbledhje të jashtëzakonshme për sigurinë e secilit prej tyre.
Mbledhja, me dyer të mbyllura, nisi me një minutë heshtje në nderim të kolegut të vrarë, ndërsa në fund të saj, anëtarja e Gjykatës së Lartë, Albana Boksi, kërkoi dhe vuri theksin në tri momente, mes të cilave njohjen e statusit të të ndjerit, Astrit Kalaja, Dëshmor i Atdheut.
Krijimi i një Grupi Ndërinstitucional me përfaqësim nga KLGJ, KLP, MD, MB, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore. Hartimi i një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave. Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve. Krijimi i dy grupeve të përhershme pune pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për ideimin e nismës për ndryshime të akteve ligjore dhe nënligjore në lidhje me statusin e magjistratëve dhe për organizimin e sistemit gjyqësor., Albana Boksi, gjyqtare, GJL.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u tregua i ashpër me politikën, median dhe një sërë aktorësh, që sipas tij kanë kontribuar në zhbërjen e rolit të gjyqësorit, ndërsa vrasjen e gjyqtarit Kalaja e konsideroi vdekje të paralajmëruar.
“Ata japin gjykime si të ishin gjyqtarë, shpallin fajësinë apo pafajësinë e kujt të duan, interpretojnë Kushtetutën sipas interesit të momentit dhe shpërndajnë verdikte televizive nëpër studio që imitojnë sallat e gjyqit. Në këtë kakofoni zërash, politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore“, Sokol Sadushi, Kreu i Gjykatës së Lartë.
Kritika të forta ai pati për qeverinë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, heshtja e të cilit ka ndikuar në thellimin e plagëve të gjykatave.
KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar. KLGJ ka ngurruar të marrë vendime të forta për sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve, për modernizimin e godinave të gjykatave dhe për plotësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturore. Ka vonesa të pajustifikueshme në emërime, në ngritje në detyrë, në ndarjen e ngarkesave të punës. Ka mungesë koordinimi me organet e tjera kushtetuese dhe ligjore. Askush nuk flet për sigurinë, për kushtet e punës, për dinjitetin e gjyqtarit.
Brenda mbledhjes, kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, i quajti injorante deklaratat e Policisë se nuk është përgjegjësi e saj mbrojtja e gjykatësve, ndërsa për mediat mungesën e sigurisë e cilësoi kështu:
“Kemi kërkuar ndërtimin e godinave të reja, të marrë fund vendosja e gjykatave nëpër fjetore apo vende ku trajnohen qentë. Duhet të bëhen ndërtime të reja, të marrë fund ping-pongu me përgjegjësinë me Policinë. Duhet të ndërhyjmë në legjislacion“,Gerd Hoxha, gjyqtar, GJKKO
Edhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni, tregoi qëllimin e mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve.
“Do të marrim një vendim në lidhje me kërkesat që kemi për autoritetet përgjegjëse. Shpresojmë të jetë rasti i fundit që ka ndodhur”, Sandër Simoni, Gjyqtar, GJL.
Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja ka shkaktuar reagime të forta dhe është një nga goditjet më të mëdha që ka pësuar gjyqësori në 3 dekada demokraci.
/vizionplus.tv