E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet grupi kriminal “Rraja”, SPAK lëshon 14 urdhër arreste, akuza për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje

Në të gdhirë të së mërkurës, SPAK mësyu në Fushë-Krujë dhe goditi një grup kriminal duke  arrestuar shtatë persona për trafik droge, mes të cilëve edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Në qeli u është komunikuar masa tre të arrestuarve, kurse në kërkim janë katër të tjerë, duke e çuar në total në 14 numrin e masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK.

Gjatë operacionit të drejtuar nga prokurori Adnand Xholi, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme vlerash monetare, armë dhe automjete.

Grupi i cili ka qenë nën hetim që nga viti 2020 për trafik droge, është zbuluar nga bisedat që janë bërë në aplikacionin e koduar SkyECC.

Të arrestuarit rezulotjnë të gjithë emra të njohur për drejtësinë. Dy vjet më parë, Rexhep Rraja, së bashku me kushërinjtë e tij, dhunuan Bilbil dhe Jashar Majën me shkopinj bejsbolli. Pamjet e publikuara të dhunës, të regjistruara nga vetë anëtarët e fisit Rraja, tronditën opinionin publik.

Dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja u dhunuan me sende të forta asokohe, për shkak të një konflikti që lidhej me punimet e fisit Rraja në gurore.

Ata kishin kërkuar që punimet të ndaloheshin, pasi po iu dëmtoheshin banesat, por denoncimi i tyre solli dhunën barbare në ambientet e një lokali, në mes të ditës.

Ndonëse dhuna e ushtruar ishte e paprecedentë, çështja në gjykatë u regjistrua nën akuzën plagosje e lehtë me dashje.

Përveç kësaj, Rexhep Rraja u dënua për dhunimin barbar ndaj të dashurës së tij, Xhisiela Maloku.

Pjestarë të grupit po hetohen edhe për pjesëmarrje në ngjare të tjera kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›