Goditet trafiku i armëve nga Kosova, tetë të arrestuar! Kapen pistoleta dhe municion luftarak

Këto janë momentet kur agjentët e antitrafiqeve në Tiranë ndërhyjne dhe arrestojnë disa persona të akuzuar për trafik armësh.
Operacioni i koduar ‘Puzzle’, i cili nisi hetimet 5 muaj me pare u finalizua me prangosjen e 8 personave të cilët sipas policisë prej një kohë të gjatë dyshohet se ishin përfshirë në trafikun e armëve nga Kosova drejt Shqipërisë.
Të arrestuarit: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu.
Dokumentimi në këtë veprimtari kriminale për të arrestuarit u bë përmes metodave proaktive ku përfshihen përgjimet, por edhe blerjet e realizuara nga agjentët e antitrafiqeve të Tiranës duke u shtirur si persona që interesohen per pistoleta të modeleve të fundit.
Grupi kriminal i sillte armët nga Kosova me makina të rastit, por dyshimet janë edhe për përdorim të autobusëve të linjave.
Pistoletat e kapura shiteshin në Tiranë, Shkoder por edhe në qytete të tjera ku çmimet varionin nga 1500 deri në 2500 euro. Nëse pistoletat shiteshin me silenciator, çmimi shkonte deri në 3000 euro.
Operacioni për arrestimin e trafikantëve të armëve u zhvillua në 2 lokale, në Vorë dhe Laprakë. Nga hetimet e deritanishme, hetuesit dyshojnë se grupi ka një bazë në Burrel, për të cilën vijojnë kërkimet.
Në total në këtë grup kriminal janë identifikuar 12 persona. 8 prej tyre janë kapur në operacionin e kësaj të premteje. Dy shtetas të Kosovës, Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi, u prangosen në muajin prill, ndërsa dy persona të tjerë janë ende në kërkim.
Në total blutë kanë sekuestruar 14 armë zjarri, 12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë, 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë. Armët do të dërgohen në laborator për të parë nëse janë përdorur më herët në krime të tjera.
/vizionplus.tv