Goditet trafiku i klandestinëve, SPAK lëshon 37 urdhër arreste, zbulohet dhe laboratori i pasaportave

Goditet grupi i strukturuar kriminal që trafikonte klandestinë drejt vendeve europiane. Nga hetimet 3- vjeçare, SPAK, firmosi 37 urdhër-arreste, e për të vënë pas hekurave përgjegjësit bashkëpunuan me agjencitë e huaja ligjzbatuese. Nga operacioni i koduar “NOMADA”, u arrestuan 32 persona, ndërsa 5 u shpallën në kërkim. Mes të arrestuarve eshte edhe një polic.
Gjatë ekzekutimit të urdhërarresteve, u zbulua një laborator që përdorej për pasaportat dhe dokumentet e tjera.
“7 automjete; 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve; 25 mijë euro; 20 mijë paund; 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja; 1 armë gjahu; 10 laptop; 15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN; sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare; 1aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh”, tha drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Drejtori i policisë Rrumbullaku dha detaje për mënyrën se si funksiononte skema e falsifikimit të dokumenteve.
“Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm. Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”. Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale”, tha Rrumbullaku.
Drejtori i Policisë së Shtetit konfirmoi se në Spanjë janë arrestuar 35 persona të tjerë./vizionplus.tv