Gogu viziton Qendrën e Shërbimit të Ndihmës Juridike në Tiranë: Drejtësia duhet të jetë sa më pranë qytetarit

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka vizituar Qendrën e Shërbimit të Ndihmës Juridike në Tiranë, ku u njoh nga afër me punën e përditshme të stafit që ofron asistencë ligjore për qytetarët.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gogu vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e punonjësve të qendrës, duke theksuar se ata janë pranë qytetarëve në një nga momentet më të rëndësishme, kur kanë nevojë për drejtësi.
Ministri nënvizoi se pas çdo kërkese për ndihmë juridike fshihet një histori, një shqetësim apo një familje që pret zgjidhje, ndaj është thelbësore që çdo qytetar të gjejë një institucion të hapur, të dëgjohet me respekt dhe të marrë orientimin e duhur për të ushtruar të drejtat e tij.
“Pas çdo kërkese ka një histori, një shqetësim, një familje që kërkon zgjidhje. Prandaj është e rëndësishme që çdo qytetar të gjejë një derë të hapur, një dëgjim me respekt dhe orientimin e duhur për të ushtruar të drejtat e tij. Aksesi në drejtësi fillon me informacionin e saktë, por mbi të gjitha me institucione që janë pranë njerëzve. Drejtësia më pranë qytetarit”, shkruan Gogu.
/m.q/r.e/