E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: 32 bashki kanë miratuar zonat prioritare për Paketën e Maleve

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Nisma qeveritare “Paketa e Maleve”, e prezantuar me synimin për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në zonat malore të Shqipërisë, është zgjeruar në 32 bashki të vendit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri me dije se në mbledhjen e qeverisë u miratuan zonat prioritare të zhvillimit edhe për 4 bashki të reja, duke e çuar në 32 numrin e bashkive që kanë miratuar zonat e tyre, si dhe në 272 numrin total të zonave prioritare në të gjithë vendin.

Gonxhja tha se “Paketa e Maleve, bashkëpropozim i fillim-vitit 2025 i MEKI dhe MSHPV, është një instrument strategjik që transformon potencialin e pashfrytëzuar të territorit në një burim real mirëqenieje”.

“Përmes këtij modeli, po krijohet një rrugë e sigurt për investime, turizëm e ekonomi që gjenerojnë punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke i dhënë zonave rurale vëmendjen dhe peshën që meritojnë”, tha Gonxhja.

“Paketa e Maleve” vjen si pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin e zonave të thella malore dhe për frenimin e braktisjes së territorit, duke e kthyer potencialin natyror në një burim të qëndrueshëm të ardhurash për komunitetet vendase.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›