E Martë, 3 Nëntor 2026

Gonxhja: Kombinati rikonfirmohet si njësia bashkiake me rezultatin më të mirë brenda njësive urbane

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për njësinë 6 në kryeqytet, Blendi Gonxhja shpalli fitoren e socialistëve në Kombinat, duke rikonfirmuar sipas tij faktin që kjo është njësia bashkiake me rezultatin më të mirë brenda njësive urbane që kanë dendësinë më të madhe të popullsisë me diferencë prej 6% me mesataren e këtyre njësive dhe diferencë plus 7% me mesataren e qarkut si rezultate deri tani për ato që janë mbyllur apo në numërim e sipër.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Gonxhja nuk e cilëson fitoren e PS-së në Kombinat si të lehtë, për shkak se kjo zonë ka pasur problematika që lidhen me rindërtimin pas tërmetit.

“Ne kemi pasur një rënie të numrit të votuesve për shkak se nga Kombinati, nga njësia 6 shkojnë drejt njësisë 14, disa mijëra votues me pasaportizimin atje, pasi ajo njësi është krijuar nga njësia 6. Dhe kemi pasur mbi 4 mijë votues të cilët nga censuset tona janë shumica socialistë, që janë te njësitë e tjera”, tha Gonxhja.

“Nga pikëpamja e pjesëmarrjes e dinim që do të kishim një rënie. Rënia në pjesëmarrje në rastin tonë është përkthyer në një bojkot të opozitës. Jemi më mirë edhe se viti 2021. Jemi në 54.5% kur kemi qenë 53.5% si PS në 2021. Jemi në rritje shumë të rëndësishme krahasuar dhe me njësitë e tjera bashkiake”, vijoi ai.

Më tej, Gonxhja shtoi se pritshmëritë janë të larta edhe për votën e diasporës, për të cilën procesi është ende duke vazhduar.

“Kemi regjistrim të lartë nga njësia 6 për Diasporën dhe rezultatin e presim tani. Ne kemi regjistruar gati mbi 5,000 bashkëkombës në nivel kombëtar, gati 2,000 në rang qarku dhe mbi 1,500 në rang njësie. Të gjitha këto bashkë bëjnë që të jemi shumë krenarë”, përfundoi Gonxhja.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›