Gonxhja: Në 5 muaj, më shumë se 400 mijë vizitorë në qendrat e trashëgimisë kulturore

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e cilësoi kulturën si një nga historitë më të bukura të suksesit në vend, duke iu referuar shifrave gjithnjë në rritje, të vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore.
Ministri Gonxhja tha se gjatë muajve janar–maj 2026, institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore kanë mirëpritur 424.082 vizitorë vendas dhe të huaj. Prej tyre, 143.086 vizitorë u regjistruan në muzetë kombëtarë, 188.437 persona vizituan parqet arkeologjike dhe 91.559 vizitorë u regjistruan në kala dhe monumente të kulturës.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, vizitueshmëria është rritur me 95,7%, ndërsa të ardhurat e gjeneruara kanë shënuar një rritje spektakolare prej 147,44%.
Krahasuar me vitin e shkuar vizitueshmëria u rrit me 9,9% dhe të ardhurat u rritën me +7,3%.
“Trashëgimia jonë nuk është thjesht histori, ajo është energji, krenari kombëtare dhe një magnet që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe e gjithë bota”, tha kreu i MTKS, Blendi Gonxhja.
/j.p/r.e/